“Diku kam lexuar se një filozof i njohur në rininë e tij të hershme e zuri një dëshpërim i thellë, duke u bërë i pandjeshëm ndaj çdo lloj kënaqësie, si dhe ndaj çdo lloj ndjenje të këndshme. Përdori ilaçe për këtë gjendje, mirëpo asnjë prej tyre nuk pati efekt. Kjo situatë i zgjati rreth dy vjet. Pastaj, pak nga pak, erdhi duke u zhdukur. Cila ishte arsyeja e shërimit? Leximi i një libri, ku gjeti shprehjen e ndjenjave të veta, të fisnikëruara nga bukuria e atyre që lexonte. Shembuj të ngjashëm që tregojnë forcën e të lexuarit, ka pafund.”
“Letërsia ka shërbyer si kurë për mijëra njerëz, të cilët, në vende të ndryshme, kanë jetuar në sisteme të mbyllura, duke përjetuar drama nga më të rëndat në jetën e tyre. Një prej këtyre është Shqipëria, ku letërsia, shpeshherë edhe e gjymtuar për arsye jashtëletrare, ka dhënë ndihmesën e saj të madhe. Nuk mund të kuptohen ndryshe thëniet e një pjese të lexuesve të para ’90-tës, që çdo vepër e Kadaresë në atë periudhë ishte një kandil ndriçues që mbante gjallë rrezen e dritës dhe shijen estetike të artit letrar.
Letërsia mund të shihet nga shumë aspekte, ndaj edhe shkrimet e këtij libri nuk ngrihen mbi teori tekstuale apo interpretime strikte të shkollave të caktuara. Të lexuarit e një vepre të mirë artistike mund të na shtrijë dorën kur jemi thellësisht të dëshpëruar, të na drejtojë nga qeniet e tjera përreth nesh, të na bëjë të kuptojmë më mirë botën dhe të na ndihmojë të jetojmë në paqe me veten dhe të tjerët; ndaj këto shkrime, më tepër se sa mbi teoritë, ndërtohen mbi tekstin dhe mbi këtë lloj qasjeje.”
“Synimi i vetëm, që do të dëshironim, është një lloj ndërmjetësimi miqësor ndërmjet veprës dhe lexuesit dhe ftesës së përhershme për të lexuar letërsi të vërtetë, si një nga rrugët e gjetjes së kënaqësisë njerëzore.”
Në këtë panair të 26-të të librit, Namir Lapardhaja vjen për lexuesit nën siglën e shtëpisë botuese UET PRESS, por kësaj radhe me një libër të kritikës letrare që titullohet “Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit”. Libri u promovua të enjten në mjediset e UET ku ishin të pranishëm studentë, akademikë, shkrimtarë dhe politikanë, mes të cilëve edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Përgjithësisht, publiku i gjerë e ka njohur autorin me shkrimet e natyrës politike, si gazetar, apo përfaqësues politik, por në UET ai mbahet mend si anëtar i jurisë për Çmimin Kadare, për vitin 2022, si njohës i letërsisë dhe si një shkrimtar. Libri vjen si një përpjekje për të mbuluar një zhanër pak të lëvruar në Shqipëri si kritika letrare.
UET PRESS e ka në politikat e saj promovimin jo vetëm të letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë nga të gjitha trojet, por edhe të nxisë kritikën shqipe. Ky libër dhe vetë autori Lapardhaja është një dëshmi e kësaj, i cili jo vetëm ka sjellë mbresat e tij si lexues mbi vepra dhe autorë të letërsisë shqipe, të brezave të ndryshëm, por edhe vjen si një manual për ata që nuk dinë nga t’ia nisin leximit.
Sipas Presidentit të Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj, mungesa e kritikës letrare, apo e paraqitjeve profesionale të librave ndihet ndjeshëm në rrafshin e botimeve shqipe dhe në këtë kuptim puna e Zotit Lapardhaja është për t’u përshëndetur. Duke gjetur ngjashmëri me punën e Natasha Lakos, Zogaj vlerësoi te Lapardhaja qasjen e tij këmbëngulëse për t’i shkuar veprave deri në fund dhe për të rizgjuar vëmendjen te autorë të ndryshëm me përshkrimet lakonike të botimeve të tyre.
“Pas librit të Natasha Lakos, që është pak-a-shumë i të njëjtit lloj, promovojmë sot një libër shumë të rëndësishëm, që kërkon të orientojë lexuesin te libri i mirë, por kërkon të japë edhe një lloj sodifaksioni shkrimtarëve, sepse ka shkrimtarë për të cilët nuk i lexojnë dhe nuk shkruan kush, Namiri di të shkruaj, e njeh letërsinë, ka stilin e tij në të shkruar dhe ka kapacitetin për t’i shkuar te thelbi i gjësë,” – u shpreh Zogaj duke e falenderuar Lapardhanë për punën dhe përkushtimin e treguar për letërsinë.
Ngjashëm paralele me punën e Natasha Lakos në librin “Njeriu si një tjetër”, hoqi edhe Drejtuesi i Departamentit të Arteve në UET, Dr. Ermir Nika. Ai e përshëndeti vullnetin e Namir Lapardhasë për t’iu futur kritikës letrare, një zhanër që sipas tij kërkon maturi dhe gatishmëri për t’u përballur edhe me marrëdhëniet direkte me autorët që merren në shqyrtim, marrëdhënie që mund të trazohen.
Sipas Dr. Nikës letërsia shqiptare e vuan mungesën e studiuesve me qasje të re dhe kritikës në tërësi dhe për këtë përshëndeti mbështetjen e dhënë nga UET dhe UET PRESS për botimin e Zotit Lapardhaja duke apeluar që pse jo, në të ardhmen, ky lloj botimi të kthehet në një traditë edhe për më shumë.
“Duhet që këtë iniciativë që ka marrë UET PRESS-i ta shndërrojmë në një projekt madhor, edhe nëse nuk kemi mbështetje të shtetit, të paktën të bëjmë studime, të bëjmë konferenca, të bëjmë antologji le të themi universitare për të dhënë atë tablonë e qartë të zhvillimeve që ka sot letërsia shqiptare, e cila është një letërsi që ka krijuar një rrjet të madh edhe albanologësh dhe janë pikërisht veprat e këtyre autorëve, por që ka krijuar edhe katedra të veçanta universitetesh prestigjioze si në Kozencë, Mënih, Hiroshimë, Moskë, Pjetërburg, SHBA, Kanada, jemi një gjuhë që përfaqësohemi sot me disa ambasada edhe aty ku nuk ka përfaqësi diplomatike kemi katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe,” – u shpreh Dr. Nika.
I pranishëm gjatë promovimit, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vlerësoi te Zoti Lapardhaja vitalitetin e tij të treguar në qasjen ndaj komunikimit publik në tërësi, por dhe përkushtimin për të marrë stafetën e drejtimit të një gazete historike si Rilindja Demokratike.
“Zë kritik, këndvështrim kritik, për të ngjitur malin e vështirë të ringjalljes së shpresës dhe rikthimin e besimit te politika,” – ishte vlerësimi i Zotit Basha për Lapardhanë dhe librin e tij.
Ashtu siç shkruan autori “Letërsia ka shërbyer si kurë për mijëra njerëz”, një kurë edhe për shumë shqiptarë, që të vetmen arratisje, gjatë diktaturës, gjatë izolimit, kishin librat, letërsinë e Kadaresë. Një dritare ku shihnin botën, një dimension ku mund të ishin të lirë.
Lapardhaja e bën të qartë që nuk ka ndjekur ndonjë teori strikte interpretimi, duke e lënë po aq subjektive dhe të lirë pikëvështrimin e tij mbi vepra dhe autorë, sa edhe vetë veprat ua lënë lexuesve.
“Kjo përmbledhje […] është një koleksion i shënimeve personale mbi autorët dhe veprat e tyre, këto shënime janë interpretime tërësisht personale nga përvoja vetjake, zgjedhja e veprave dhe autorëve nuk është ngritur mbi kriter të caktuar, por bazohet mbi lexime të ndodhura në periudha të ndryshme,” – u shpreh Lapardhaja duke theksuar më pas misionin e këtij libri që është për “ndërmjetësim miqësor, një urë fjalësh mes veprash dhe lexuesish, bazuar mbi ftesën e vazhdueshme për të lexuar letërsi të vërtetë si një nga mjetet më rezultative për progresin njerëzor.”
Kritika letrare mbi Librin
“Namir Lapardhaja është një zë i veçantë në peizazhin e kritikës letrare”
“Shkrimet e kësaj përmbledhjeje nuk synojnë të mbushin boshllëkun e kritikës së sotme letrare. Ato nuk kanë për qëllim të debatojnë rreth veprave dhe autorëve të marrë në shqyrtim, për arsye të besimit te shumësia dhe liria e leximeve dhe interpretimeve. Ato janë shënime të shpejta vetjake, mbi autorë dhe vepra, vendas dhe të huaj, të hershëm dhe të sotëm, të cilat, në përgjithësi, janë reflektime të atypëratyshme, të marra nga procesi momental i të lexuarit. Ato nuk kanë kërkesa të mirëfillta shkencore dhe janë lexime tërësisht vetjake. Nuk ka një arsye të veçantë për autorët dhe veprat e përzgjedhura, ngase nuk ka një përzgjedhje si të tillë në vetvete, por janë shkrimtarë dhe vepra që janë lexuar në kohë të ndryshme. Sigurisht që nuk janë të vetmet, por, në pamundësi për t’i përmbledhur të gjitha analizat, përzgjodhëm vetëm një pjesë të tyre.”
“Qyteti gjithmonë më ka dhënë imazhin e një gërmadhe, ndonëse ka kaluar një kohë bajagi e gjatë, ende edhe sot, në këtë zgrip perëndimi, nuk e di pse sa herë kaloj në ato rrugica, gjithmonë trishtueshëm më është shfaqur ajo pamje, ankthi i bisedave zvargur në skutat e lagjeve dhe largësia që të gjithë krijonin me të, duke iu larguar, shmangur, apo edhe vetmia që i kishte kapluar tërësisht qenësinë ekzistenciale, të asaj që quhej jetë, nëse do ta quanim atë të qytetit të atillë, edhe pse ai nuk mund të tregonte për ata që e braktisnin, duke e lënë të vetmuar; por herëdokur jepte shenja të shndërrimit në pluhur, shkretëtirë, sahara, duhmë rëre e paskajë, në të cilën reflektohet personaliteti i njerëzve përthyer në shterpësinë e gjithanshme, moçalishte depresive për nga vetë relievi, çka shtonte dita-ditës marrëzinë sokakëve të gurtë, madje prej kohësh në qytet nuk mund të shihje më ato fytyra që në ag kishim parë, fytyra të brishta, miqësore dhe mirëdashëse, sepse ata të gjithë kishin ikur, ishin larguar drejt qendrës, drejt vendeve të huaja, kjo prej halleve dhe problemeve, shtuar përditë dhe më shumë në qytet; ndjesia për shtëpitë e vjetra të qytetit të gurtë ishte keqardhja, sikur “mikeshat e vjetra”, tashmë, gjithmonë dhe më shumë, po ndryshonin nga duart e keqbërësve, xhelatëve, barbarëve; ata nuk kursenin asgjë prej bukurisë bardhësore shekullore, keqbërësit; feksin skeletet e tyre, jo prej mirëmbajtjes, por prej bardhësisë natyrale, endur prej kohësh në avlëmendin e historisë apo kujtesës kolektive, si rrjedhim i të gjitha këtyre nuk mund të gjeja qetësi shpirtërore, i ziu, një njeri pa fabul, pa histori, që kam jetuar gjithmonë në vete, për veten dhe me veten, një subjekt-njeri, edhe përpos asaj që një ditë në ato ëndërritjet e mia kisha takuar, madje, edhe princeshë Dianën, ndjesë pastë, prej bukurisë së të cilës sot ndoshta kanë ngelur vetëm sekuencat filmike, skuta të çuditshme këto të mendjes sime, mendje të cilën nuk e ndriçon po ai diell që i ndriçon gjithë të tjerët, por një diell tjetër, i ri, i porositur enkas për mua dhe që ndriçon krejt me një dritë të veçantë, një privat-diell, si i atij fatkeqit tek lulishtja e qytetit, buzë rrugës, që, sa herë nuk i nevojitet, nxjerr telekomandën dhe e fik, duke i lënë gjithë të tjerët, për aq kohë sa ai e shikon të arsyeshme, pa rrezatimin e tij, duke bërë një jetë tjetër që nuk ngjan me atë që zien dhe përziet mes njerëzish, një përzierje e atmosferës midis fantastikes, ireales dhe asaj ideales e prozaikes pa ngjyrë, për të mos thënë me një banalitet të pabesueshëm, duke më bërë një krijesë të ndërmjetme, të gjinisë asnjanëse, një personazh të denjë për pasazhet donkishoteske, karikaturë të periudhës kalorësiake: ja ky jam unë, një ëndërronjës që zvargem qytetit pa i rënë në sy as vetvetes.”
Po, unë jam një personazh në kërkim të vetvetes, duke mos e humbur kurrë një herë durimin e kërkimit, as shpresën e gjetjes. Nuk jam askush prej atyre që ti, zotëri i nderuar, mendon se jam; andaj, mos u troshit, sepse në çaste të caktuara, Unë mund të jem Ti dhe Ti mund të mos dish nga t’ia mbash kur të shndërrohesh në Unë …