Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA
Ne jemi çfarë shkruajmë
Nëpërmjet të shkruarit pasqyroj mendimet e mia për politikën, letërsinë dhe aktivizmin qytetar
Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit
Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit

“Shkrimet e kësaj përmbledhjeje nuk synojnë të mbushin boshllëkun e kritikës së sotme letrare. Ato nuk kanë për qëllim të debatojnë rreth veprave dhe autorëve të marrë në shqyrtim, për arsye të besimit te shumësia dhe liria e leximeve dhe interpretimeve. Ato janë shënime të shpejta vetjake, mbi autorë dhe vepra, vendas dhe të huaj, të hershëm dhe të sotëm, të cilat, në përgjithësi, janë reflektime të atypëratyshme, të marra nga procesi momental i të lexuarit. Ato nuk kanë kërkesa të mirëfillta shkencore dhe janë lexime tërësisht vetjake. Nuk ka një arsye të veçantë për autorët dhe veprat e përzgjedhura, ngase nuk ka një përzgjedhje si të tillë në vetvete, por janë shkrimtarë dhe vepra që janë lexuar në kohë të ndryshme. Sigurisht që nuk janë të vetmet, por, në pamundësi për t’i përmbledhur të gjitha analizat, përzgjodhëm vetëm një pjesë të tyre.”

Kronikë e një qyteti të (n)gurtë
Kronikë e një qyteti të (n)gurtë

“Qyteti gjithmonë më ka dhënë imazhin e një gërmadhe, ndonëse ka kaluar një kohë bajagi e gjatë, ende edhe sot, në këtë zgrip perëndimi, nuk e di pse sa herë kaloj në ato rrugica, gjithmonë trishtueshëm më është shfaqur ajo pamje, ankthi i bisedave zvargur në skutat e lagjeve dhe largësia që të gjithë krijonin me të, duke iu larguar, shmangur, apo edhe vetmia që i kishte kapluar tërësisht qenësinë ekzistenciale, të asaj që quhej jetë, nëse do ta quanim atë të qytetit të atillë, edhe pse ai nuk mund të tregonte për ata që e braktisnin, duke e lënë të vetmuar; por herëdokur jepte shenja të shndërrimit në pluhur, shkretëtirë, sahara, duhmë rëre e paskajë, në të cilën reflektohet personaliteti i njerëzve përthyer në shterpësinë e gjithanshme, moçalishte depresive për nga vetë relievi, çka shtonte dita-ditës marrëzinë sokakëve të gurtë, madje prej kohësh në qytet nuk mund të shihje më ato fytyra që në ag kishim parë, fytyra të brishta, miqësore dhe mirëdashëse, sepse ata të gjithë kishin ikur, ishin larguar drejt qendrës, drejt vendeve të huaja, kjo prej halleve dhe problemeve, shtuar përditë dhe më shumë në qytet; ndjesia për shtëpitë e vjetra të qytetit të gurtë ishte keqardhja, sikur “mikeshat e vjetra”, tashmë, gjithmonë dhe më shumë, po ndryshonin nga duart e keqbërësve, xhelatëve, barbarëve; ata nuk kursenin asgjë prej bukurisë bardhësore shekullore, keqbërësit; feksin skeletet e tyre, jo prej mirëmbajtjes, por prej bardhësisë natyrale, endur prej kohësh në avlëmendin e historisë apo kujtesës kolektive, si rrjedhim i të gjitha këtyre nuk mund të gjeja qetësi shpirtërore, i ziu, një njeri pa fabul, pa histori, që kam jetuar gjithmonë në vete, për veten dhe me veten, një subjekt-njeri, edhe përpos asaj që një ditë në ato ëndërritjet e mia kisha takuar, madje, edhe princeshë Dianën, ndjesë pastë, prej bukurisë së të cilës sot ndoshta kanë ngelur vetëm sekuencat filmike, skuta të çuditshme këto të mendjes sime, mendje të cilën nuk e ndriçon po ai diell që i ndriçon gjithë të tjerët, por një diell tjetër, i ri, i porositur enkas për mua dhe që ndriçon krejt me një dritë të veçantë, një privat-diell, si i atij fatkeqit tek lulishtja e qytetit, buzë rrugës, që, sa herë nuk i nevojitet, nxjerr telekomandën dhe e fik, duke i lënë gjithë të tjerët, për aq kohë sa ai e shikon të arsyeshme, pa rrezatimin e tij, duke bërë një jetë tjetër që nuk ngjan me atë që zien dhe përziet mes njerëzish, një përzierje e atmosferës midis fantastikes, ireales dhe asaj ideales e prozaikes pa ngjyrë, për të mos thënë me një banalitet të pabesueshëm, duke më bërë një krijesë të ndërmjetme, të gjinisë asnjanëse, një personazh të denjë për pasazhet donkishoteske, karikaturë të periudhës kalorësiake: ja ky jam unë, një ëndërronjës që zvargem qytetit pa i rënë në sy as vetvetes.”

Me Xhymertin
Me Xhymertin

Po, unë jam një personazh në kërkim të vetvetes, duke mos e humbur kurrë një herë durimin e kërkimit, as shpresën e gjetjes. Nuk jam askush prej atyre që ti, zotëri i nderuar, mendon se jam; andaj, mos u troshit, sepse në çaste të caktuara, Unë mund të jem Ti dhe Ti mund të mos dish nga t’ia mbash kur të shndërrohesh në Unë …

Zbulo më shumë rreth angazhimit tim publik!

Bashkohu me mua në përpjekjet për ndryshimin pozitiv të shoqërisë shqiptare nëpërmjet nxitjes së mendimit dhe diskutimit konstruktiv.