Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA
Kronikë e një qyteti të (n)gurtë
Namir Lapardhaja

“Në zanafillë të hartimit të këtij libri, kam pasur një dilemë me veten përsa i përket botimit apo jo të këtyre shkrimeve, që kanë formësuar jo vetëm mendimin tim për një dekadë me radhë, por që, gjithsesi, kanë qenë një alternativë, qoftë edhe e zbehtë, për ta para realitetin nga një këndvështrim tjetër. Dilema ka pasur të bëjë me atë se jetojmë në një realitet të tejmbushur me një shumësi grafomanësh, të cilët shkruajnë pa pushim, duke mos pasur një filtër mendimi shoqëror dhe profesional për të evidentuar dhe promovuar vlerat. Pavarësisht kësaj, fakti që lexuesi është duke i shfletuar këto radhë, tregon për atë se çka ngjau më pas.

Përse ky libër?!

“Scripta mantent – e shkruara mbetet” thoshin dikur latinët. Sidomos në një shoqëri si kjo e jona e cila ka probleme të theksuara me kujtesën historike, ky parim vlen më shumë se kurrë.”

“Ky libër nuk synon të japë përgjigje të përgjithshme dhe universale, por ka si objekt konkret, të thukët dhe të përmbledhur, në kohë dhe në hapësirë, duke synuar rigjallërimin mendimin kritik. 

Është rezultat i një pune mendore konsante dhe të vijueshme prej një dekade për ta bërë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm; për ta përmirësuar realitetin dhe për ta bërë atë më njerëzor; për ta orientuar jetën në shinat e ligjshmërisë dhe të normales. 

Kjo përpjekje e vazhdueshme, edhe pse modeste, është në antagonizëm të hapur me konformizmin, servilizmin, puthadorësinë, heshtjen, mosbëzatjen, gjumin, rehatllëkun, dembelllëkun, fukarallëkun mendor dhe shpirtëror dhe nuk merr në asnjë moment në konsideratë mendimin se të jesh idealistë, është jashtë mode dhe kohe, të jesh i drejtë, s’ke për të ecur kurrë përpara, të jesh i ndershëm, je budalla, të kërkosh parimet në një kohë perimesh, është anakronizëm dhe të flasësh kur shumica hesht, është papjekuri…”  

Nëpërmjet këtij botimi, nuk synoj të arrij konkluzione përfundimtare, por të ngjall mendimin kritik ndaj problematikës që trajtohet, ngase nuk janë shkrime shteruese, por sintetizuese të mendimit mbi ngjarje ose fenomene…” 

Qyteti ka nevojë për “veshë”
Agim Baçi

Ai që komandon në një tregim nuk është zëri: është veshi”, shkruante shkrimtari dhe studiuesi italian Italo Calvino në librin e tij “Qytete të padukshme”, teksa udhëtari Marko Polo i rrëfente imagjinatën e tij perandorit Kublai Kani. 

Një thirrje që duket i rëndësishëm për qytetet e sotme, ku flasin shumë e dëgjojnë pak ose aspak, ku gjithkush mendon të performojë e askush nuk preferon të ulet në karrigen e dëgjuesit. Këto vëzhgime të Calvinos mbi qytetin dhe marrëdhënien e domosdoshme të njeriut me të m’u kujtuan teksa flisnim disa ditë më parë në Berat për librin e gazetarit dhe studiuesit Namir Lapardhaja, për kronikat e tij për qytetin, pa shmangur as këndvështrimet mbi politikën, letërsinë e sidomos kulturën. 

Në fakt, çdo qytet ka frikërat dhe ëndrrat e tij, ka të dukshmet dhe të padukshmet e tij. Për Namirin, frika në qytetin e tij nis nga ajo e cila mban peng mjaft njerëz në mbarë qytetet, e ndoshta edhe në mjaft vende në botë: nga na erdhi ky fqinji ynë? Por pikërisht këtu nis ndarja e madhe e atyre që pyesin dhe e veshëve që e dëgjojnë, pasi dikush pyet për të bërë një dallim mes tij dhe fqinjit me gjëra që s’kanë të bëjë fare me zotësinë e tij, ndërkohë që dikush tjetër kërkon të gjejë një bashkëbisedues. Ndaj veshët në çdo qytet janë të ndryshëm, sepse zëri godet brenda gjithkujt sipas mënyrës se si ne kemi ëndërruar, se çfarë kemi frikë dhe se çfarë duam më shumë.

Por pyetjet për Beratin mund të jenë kudo, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë, madje edhe në mes të kryeqytetit, ku i ardhuri nga periferitë vijon të shihet si një njeri që kërkon t’i rrëmbejë territoret, t’i marrë pushtetin e origjinës së tij të lindjes. Mjaft e çuditshme vijon të jetë kjo ndjesi mes shqiptarëve, edhe pse prej 28 vitesh ne vijojmë të jemi një popull me emigracion që rritet, duke pasur shumë bashkëqytetarë pjesë të qyteteve të ndryshme botërore, pjesë të kulturave të ndryshme, e që shumicës prej tyre iu është zgjatur dora e bashkëjetesës, edhe pse asnjë e kaluar e mëparshme nuk ekzistonte. 

Ndaj, duket sikur në libër ka një pyetje që kërkon përgjigje: A mund të jetë historia dhe jeta e një qyteti vetëm gurët dhe muret? Pra, cilat janë themelet e vërteta? A mundet që ndërtesat të zëvendësojnë fuqinë, që ka dora e një njeriu për tjetrin përballë? Shumë njerëz jetojnë me ëndrra dhe kujtohen se nuk kanë bërë asnjë hap për t’u mbajtur mend vetëm atëherë kur mosha e tyre është veç për kujtime. Por për çfarë do të kujtohen nëse në jetën e tyre nuk janë përfshirë për të marrë dhe për të dhënë diçka me tjetrin? Për çfarë mund të meditojnë nëse nuk kanë menduar ndonjëherë për tjetrin, që jeton në të njëjtin pallat, në të njëjtën mëhallë?

Ne nuk kemi pse të kërkojmë që në një qytet të gjithë të arrijnë të bëjnë me zë të lartë pyetjet e duhura. Por mund të shpresojmë se kur një e vërtetë na thuhet, ne duhet të ngremë veshët dhe të pyesim veten tonë për atë që besuam dhe atë që ëndërruam. Sepse ne kemi nevojë të dallojmë kufijtë tanë dhe hapësirën e pafund të historive, që shkojnë e vijnë në një qytet apo kudoqoftë që ne kemi ngritur jetën tonë, ku rrisim fëmijët tanë dhe ku besojmë në një buzëqeshje. 
 

“Nuk tradhtojnë fjalët, por veprimet”, thotë personazhi Marko Polo, duke na kërkuar kështu që të besojmë te fjala, por edhe të shohim nëse fjala ka qenë pararendëse e vërtetë e asaj që deshëm të bënim. Ndonjëherë mes fjalës dhe veprimit dallohen brigje të mëdha që veç largohen, pasi janë jo të paktë ata që veçse flasin se si duan të jenë, por nuk kuptojnë kurrë se si janë. Por fundja këto janë qytetet, me harta të papërcaktuara mes dëshirave dhe veprimeve, mes të dukshmes dhe të padukshmes, mes jetës dhe vdekjes. E megjithatë, veçse dora dhe zëri i njeriut munden t’i japin një kuptim gurëve, mureve, të thënave dhe të pathënave. Ndaj në një qytet janë gjithnjë të domosdoshëm ata që guxojnë t’i thonë gjërat, ata që kërkojnë veshë për fjalët e tyre dhe që kërkojnë njeriun. Ndaj, në një qytet është e rëndësishme që, më së paku të pyesim: A e kuptuam vallë njeriun përballë nesh dhe a u përpoqëm të bashkëndajmë një hap apo një ëndërr me të?

Kritika letrare mbi Librin

Xhevair Lleshi

“Sapo mora kontakt, unë mendova jo vetëm që ishte i vlefshëm për t’u botuar, por ndërkohë edhe do t’i bënte nder Namirit dhe qytetit të Beratit. E para, sepse ai i kishte shpëtuar kurthit të merrej vetëm me anën vëzhguese, sepse libri ka disa pamje, që jep problematikën e qytetit, ka shqetësimet e tij të brendshme, ka një pjesë të këndshme që hyn në debatin me letërsinë, me libra të tjerë, me botime të ndryshme, por edhe me atë shqetësim të madh qytetar, që ai e ndjen vazhdimisht. Tek ky libër unë vlerësoj faktin se ai e ruan fort ndjenjën e masës dhe ballafaqohet me një argument që e zotëron vetë ai.”

Librat
Clear Filters
Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit
Kronikë e një qyteti të (n)gurtë
Me Xhymertin